Pavarësisht humbjes së rëndë në “Allianz Arena”, treshja kosovare e Hoffenheimit ka treguar edhe një herë lidhjen e fortë me tifozët shqiptarë në Gjermani.
Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Bayern Munichut, e vlefshme për javën e 21-të të Bundesligës dhe e humbur me rezultat 5:1, Fisnik Asllani, Granit Avdullahu dhe Florian Hajdari u afruan drejt tribunave për të takuar tifozët, edhe pse atmosfera pas ndeshjes nuk ishte e lehtë.
Sapo vunë re flamujt e Kosovës në shkallët e stadiumit, tre futbollistët iu afruan tifozëve për të bërë fotografi dhe për t’i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që po marrin në stadiumet anembanë Gjermanisë, shkruan Indeksonline.
Edhe pse rezultati nuk ishte në favor të skuadrës së tyre, kjo nuk i pengoi lojtarët kosovarë të shprehnin mirënjohjen ndaj tifozëve shqiptarë, duke dëshmuar respekt dhe afërsi të veçantë me publikun që i ndjek dhe i përkrah kudo.








