#Lajme

Paul Williams nis dëshminë në Speciale: Bukoshi, në emër të Rugovës, më ftoi si këshilltar në Rambuje

Avokati dhe profesori ndërkombëtar Paul Williams ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku po paraqitet si dëshmitar mbrojtjeje i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Williams tregoi se ftesa për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar në negociatat e Rambujesë iu bë nga Bujar Bukoshi, në emër të presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova. “Formalisht u zgjodha rreth dhjetë ditë para thirrjes së negociatave. Bukoshi më kishte njoftuar më herët se, nëse do të kishte bisedime, do të kërkonte praninë time. Kjo ndodhi në kohën e diplomacisë së Chris Hill dhe Richard Holbrooke,” tha ai.

Ai shtoi se gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998 kishte punuar ngushtë me Bukoshin, Rugovën dhe Veton Surroin, si dhe me diasporën shqiptaro-amerikane, duke ofruar këshillim dhe udhëzim ligjor për procesin e negociatave.

Williams theksoi se më 7 shkurt 1999 mori ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Rambuje, si këshilltar ligjor i delegacionit kosovar, një vendim që u miratua me konsensus dhe u nënshkrua nga Edita Tahiri dhe Bajram Kosumi.