#Lajme

Pas vrasjes së trefishtë, qytetarët protestojnë sot në Gjilan

Sot në ora 19:00, para Gjykatës Themelore në Gjilan do të mbahet një protestë qytetare pas ngjarjes së rëndë të 10 gushtit, ku u vranë tre persona – mes tyre babë e bir, Selman dhe Edmond Hasani, si dhe familjari i tyre Abedin Hoxha.

Protesta ka për qëllim shprehjen e revoltës ndaj sistemit të drejtësisë, i cili po akuzohet për neglizhencë dhe dështim në parandalimin e krimit. Organizatorët dhe qytetarët pritet të kërkojnë veprim të menjëhershëm nga gjykatat dhe prokuroria, si dhe ndëshkimin e autorëve të dyshuar – Mefail, Engjull dhe Edonis Shkodra – të cilët ende ndodhen në arrati.

Pas tragjedisë, muret e gjykatës janë mbuluar me mbishkrime si “I keni duart me gjak” dhe “Drejtësia në shërbim të fajdexhive”, në shenjë pakënaqësie ndaj trajtimit të rasteve të mëparshme nga organet e drejtësisë.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta politike e shoqërore. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar prokurorinë dhe gjykatat për tolerim të krimit, ndërsa përfaqësues të opozitës, si Lutfi Haziri dhe Memli Krasniqi, kanë kërkuar zbardhjen urgjente të rastit dhe masa për rikthimin e sigurisë publike.