Pas mbi 10 vjetësh stabilitet, çmimi i arit pëson rënien më të madhe
Çmimet e arit sot kanë shënuar një rikuperim të lehtë, pasi rritja e tyre spektakolare një ditë më parë u ndërpre papritur.
Rënia e çmimit të arit, i cili tradicionalisht konsiderohet si një strehë e sigurt në kohë pasigurie, ndodhi sepse investitorët vendosën të realizojnë fitimet pas rritjes rekord. Një arsye shtesë ishte edhe optimizmi përpara një raundi të ri të negociatave tregtare ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe kinezë.
Në treg, sot një ons ar është tregtuar me çmimin prej 4.141,48 dollarësh, që përfaqëson një rritje më të vogël se 0,4 për qind. Një ditë më parë, të martën, çmimi i menjëhershëm i arit ra me 6,3 për qind, në 4.082,03 dollarë për ons, pasi të hënën kishte arritur nivelin rekord prej 4.381,21 dollarësh, raporton CNN.
Kontratat amerikane të së ardhmes për arin e përfunduan ditën me një rënie prej 5,7 për qind, në 4.087,70 dollarë – rënia më e madhe që nga prilli i vitit 2013. Edhe çmimet e argjendit dhe platinës ranë ndjeshëm të martën, përkatësisht me 7 dhe 5 për qind.
Analistët theksojnë se shitja masive erdhi pas javësh me blerje intensive, gjë që e çoi çmimin e arit në nivele të mbinxehura. Gjatë vitit 2025, ari ka regjistruar fitime historike – me një rritje mbi 50 për qind – duke tejkaluar edhe periudha turbulente si pas sulmeve të 11 shtatorit, krizës financiare të vitit 2008 apo pandemisë së Covid-19.











