Pas komenteve të shumta negative, reagon Duda Balje: “Vetëm po më pastroni nga mëkatet”
Deputetja Duda Balje ka reaguar pas një vale komentesh negative në rrjetet sociale, që pasuan deklaratën e saj lidhur me shkarkimin e zëvendësministrit të partisë që ajo udhëheq nga qeveria në detyrë.
Postimi i saj i fundit ka marrë afro 400 komente, shumica prej tyre me tone kritike. Megjithatë, Balje është shprehur se këto reagime nuk e prekin dhe madje i ka cilësuar si “pastrim nga mëkatet”.
“Përshëndetje për të gjithë ju që nga dje keni shkruar komente në postimin tim të fundit — gati 400 prej jush. Nëse keni ndonjë provë, qoftë edhe më të voglën, që unë apo ndonjë anëtar i familjes sime kemi bërë diçka të keqe ndaj shtetit apo ndonjë individi, raportojeni aty ku duhet. Nëse nuk keni, mos e humbni më kohën,” ka shkruar Balje.
Ajo shtoi se prej tetë muajsh, një grup i caktuar personash po përpiqen në mënyrë të organizuar ta sulmojnë, por sipas saj, pa ndonjë rezultat konkret.
“Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet,” ka deklaruar ajo, duke uruar në fund shëndet e mirëqenie për të gjithë komentuesit dhe familjet e tyre.











