#Botë

Pas Bankës Botërore, edhe FMN e heq Kosovën nga lista e vendeve në konflikt dhe brishtësi

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vendosur ta largojë Kosovën nga lista e vendeve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS/FCV), duke vlerësuar progresin e arritur në stabilitetin makro-financiar dhe forcimin e institucioneve të vendit. Ky vendim vjen pak ditë pasi edhe Banka Botërore mori një hap të ngjashëm, duke e larguar Kosovën nga lista e shteteve me status të krizës.

Lajmi është bërë i ditur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e cila përmes një postimi në rrjete sociale e ka cilësuar këtë si një sukses të rëndësishëm për vendin dhe si dëshmi të progresit institucional.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpreh mirënjohjen e thellë ndaj FMN-së për këtë njohje të rëndësishme të progresit institucional dhe qëndrueshmërisë makro-financiare të Kosovës”, thuhet në reagimin e BQK-së.

Sipas komunikatës, ky zhvillim është një moment domethënës që pasqyron përparimin e vazhdueshëm të vendit në drejtim të forcimit të stabilitetit makroekonomik, përmirësimit të qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.

BQK gjithashtu thekson disa nga përfitimet që priten pas këtij vendimi, përfshirë:

Përmirësimin e perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të Kosovës; Rritjen e besimit të investitorëve; Uljen e vlerësimeve për rrezik financiar; Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; Komplementim të vlerësimit të parë të sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit.

Ky vendim nga FMN shihet si një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës si një vend me institucione të qëndrueshme dhe ekonomi në rritje.