Parku e sheshi ia “zbrazin” buxhetin Vushtrrisë, jepen edhe qindra mijëra euro për punë shtesë
Parku e sheshi ia “zbrazin” buxhetin Vushtrrisë, jepen edhe qindra mijëra euro për punë shtesë
Nuk kanë mjaftuar as rreth tre milionë euro për ta përfunduar projektin kryesor gjatë këtyre katër viteve qeverisje në Komunën e Vushtrrisë.
Prandaj, kjo komunë ka ndarë edhe rreth 270 mijë euro shtesë për ta lidhur parkun e qytetit me sheshin “Adem Jashari”.
Për këtë, tashmë është nënshkruar kontrata e punëve shtesë me kompaninë e njëjtë që ka fituar edhe tenderin e parë për ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Në dosjen e kontratës janë dhënë arsyet për punët shtesë.
Aty thuhet se gjatë realizimit të projektit është parë nevoja për punë shtesë.
“Gjatë implementimit të projektit dhe zhvillimit të punimeve është paraqitur nevoja e punëve shtesë për disa pozicione. Bazuar në gjendjen faktike në terren për projektin, pozicionet në
vazhdim të paraqitura si punë shtesë, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme të kryhen, pozicione pa te cilat nuk mund te vazhdojnë tutje me punë finale.”, thuhet në dosjen e kontratës shtesë.
Aty thuhet se kryerja e këtyre punëve ndërlidhet me punimet sipas kontratës bazë.
“Andaj ne mendojmë të shkojmë me të njëjtin Operator Ekonomik, i cili është duke ekzekutuar punimet e kontratës bazë.”, thuhet tutje në dosje.
Vlera e parashikuar e kontratës bazë është mbi dy milionë e 700 mijë euro.
Pasi kishte fituar tenderin, punimet është duke i kryer grup i operatorëve ekonomikë ILEAA – GR SH.P.K.; LIMITPROJECT SH.P.K.;
Rinesa SH.P.K.; DELTA – CCD SH.P.K.
Me kontratën e re të punëve shtesë, buxheti i komunës do të shpenzohet mbi tre milionë euro vetëm për projektin e parkingut nëntokësor dhe ndërlidhjes së parkut me sheshin “Adem Jashari”.











