Parandalohet kontrabandë me cigare në Aeroportin “Adem Jashari” – sekuestrohen 375 boksa
Policia e Kosovës dhe Dogana kanë parandaluar dy raste të kontrabandës me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 14 dhe 16 korrik 2025.
Në dy raste të ndara, janë ndaluar dy shtetas të huaj të cilët tentuan të largojnë nga Kosova rreth 375 boksa cigare të ndryshme, të padeklaruara dhe pa banderola. Mallrat e ndaluara përfshijnë marka si Marlboro (kaltër, e bardhë, e kuqe) dhe brende të tjera të njohura.
Kontrabanda u zbulua falë bashkëpunimit të Policisë, Doganës dhe Njësisë për Informacionin e Pasagjerëve (PIU), pasi cigaret ishin fshehur në valixhe dhe ishin dorëzuar për fluturim drejt Londrës.
Produktet janë sekuestruar dhe rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga Dogana e Kosovës. Autoritetet njoftuan se do të vazhdojnë përkushtimin në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e ligjshmërisë në vend.












