Paralajmërohen reduktime të energjisë elektrike, KOSTT detyrohet të kufizojë ngarkesën për sigurinë e sistemit
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme mund të ketë reduktime të rrymës, për shkak të jo-balancave të mëdha në sistemin elektroenergjetik.
Sipas KOSTT-it, kjo situatë është krijuar si pasojë e nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e konsumit për datat 13 dhe 14 janar 2026. Si rezultat, Zona e Kontrollit e KOSTT-it po operon me jo-balanca të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë 200 megavat.
Në njoftimin e publikuar të martën mbrëma, KOSTT thekson se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit dhe organizimin e ankandeve brendaditore. Megjithatë, për shkak të diferencës së madhe ndërmjet energjisë së nominuar dhe konsumit real, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për eliminimin e jo-balancave.
KOSTT paralajmëron se këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, duke rritur rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe duke ekspozuar operatorin ndaj pasojave serioze, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.
Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe mbrojtjen e integritetit të rrjetit, KOSTT ka bërë të ditur se është i detyruar të aplikojë kufizime të ngarkesës, sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore.
Nga KOSTT bëhet e ditur se sapo të përmirësohet situata dhe të stabilizohet balancimi, do të merren menjëherë veprimet e nevojshme për normalizimin e sistemit.











