Pagesat me para të gatshme vazhdojnë të dëmtojnë buxhetin e Kosovës
Përdorimi i parasë së gatshme mbetet i përhapur në Kosovë, pavarësisht rritjes së pagesave digjitale, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë joformale dhe humbjet buxhetore. Shumë qytetarë vazhdojnë të preferojnë pagesat me para fizike për shkak të mungesës së besimit në sistemin bankar, ndërsa të rinjtë po tregojnë prirje më të madhe drejt pagesave elektronike.
Sipas profesorit të ekonomisë, Mejdi Bektashi, pagesat me para të gatshme nuk lënë gjurmë fiskale dhe lehtësojnë shmangien nga TVSH-ja dhe tatimet tjera. Ai thekson se vetëm në një pagesë prej 5 mijë eurosh me para të gatshme, shteti humb rreth 900 euro TVSH. Sipas tij, rritja e pagesave digjitale do të ndihmonte në uljen e ekonomisë joformale dhe fenomeneve si korrupsioni.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se 76 për qind e të rriturve në Ballkanin Perëndimor kanë llogari bankare, ndërsa një rritje prej 10 për qind e pagesave digjitale ul ekonominë joformale për rreth 2 për qind.
Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se, megjithëse ka rritje të transaksioneve digjitale, mungesa e besimit dhe edukimit financiar mbetet sfidë. Ndërkohë, Instituti Riinvest vlerëson se ekonomia joformale në Kosovë përbën 30–35 për qind të PBB-së.
Aktualisht, në Kosovë operojnë 10 banka komerciale, me mbi 1.4 milion kartela debiti dhe më shumë se 20 mijë terminale POS, ndërsa institucionet synojnë rritjen e përdorimit të pagesave digjitale për modernizimin e ekonomisë.











