#Kosova #Lajme

OVL-UÇK reagojnë pas vendimit të Gjykatës Speciale: Mesazh negativ për drejtësinë

Organizatat e dala nga lufta kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë vendim si zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë.

Në një deklaratë të përbashkët, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) thanë se vendimi dërgon një “mesazh negativ për drejtësinë dhe paanshmërinë” e kësaj gjykate.

“Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe shqyrtimi i drejtë i mocioneve të mbrojtjes, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe politikisht të motivuar,” thuhet në reagim.

Organizatat u bënë thirrje opinionit publik dhe bashkësisë ndërkombëtare që të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar rreth proceseve në këtë gjykatë.