#Lajme

OVL-UÇK: Kurti dhe Osmani me arrogancë politike rrënuan raportet me SHBA-në

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një lajm të rëndë dhe sinjal alarmues për të ardhmen e vendit.

Në reagim, OVL-UÇK thekson se çdo krizë politike që dëmton marrëdhëniet me SHBA-në prek vetë themelet e shtetit, duke rikujtuar se partneriteti me Amerikën është jetik dhe i pazëvendësueshëm për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës.

Organizata akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për “papërgjegjësi të jashtëzakonshme”, duke thënë se me arrogancën politike dhe retorikën e tyre kanë dëmtuar raportet me partnerin kryesor të Kosovës.

“Sot Kosova po paguan çmimin e egoizmit të tyre, të cilët në vend që të jenë shërbyes të popullit, janë shndërruar në pengues të së ardhmes së shtetit”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK apeloi për unitet kombëtar dhe përgjegjësi shtetërore, duke nënvizuar se luftëtarët e UÇK-së dikur ishin në front për lirinë e Kosovës, ndërsa sot mbeten të përkushtuar në mbrojtje të aleancës me SHBA-në dhe të vlerave të luftës çlirimtare.