Osmani uron fillimin e vitit të ri shkollor: “Le ta shkruajmë së bashku historinë e suksesit”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Në mesazhin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Osmani ka theksuar se 1 Shtatori shënon një fillim të ri, plot mundësi për zhvillim, dije dhe sukses.
“Le të hyjmë në këtë vit shkollor me kurajo, besim dhe respekt për njëri-tjetrin. Secili nga ne ka mundësinë të shkruajë historinë e tij të suksesit,” ka shkruar Osmani.
Ajo ka inkurajuar nxënësit të jenë kuriozë dhe të mos ndalojnë së pyeturi, ndërsa mësuesit të vazhdojnë përkushtimin në përgatitjen e brezave të ardhshëm.
“Urime fillimi i vitit të ri shkollor! Qoftë një vit i mbushur me dije, gëzim dhe suksese për të gjithë,” ka përfunduar presidentja.











