#Lajme

Osmani takon ambasadorin britanik, diskutojnë zgjedhjet dhe marrëveshjet strategjike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe bashkëpunimin dypalësh.

Gjatë takimit, u diskutua procesi i zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, për të cilat u vlerësua se janë zhvilluar në përputhje me standardet më të larta demokratike. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Po ashtu, palët biseduan për hapat drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe tregtisë.

Në përmbyllje të takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës.