#Lajme

Osmani: Rreshtimi me SHBA-në në Bordin e Paqes e fuqizon subjektivitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes, të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit dhe se ky hap e forcon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Duke folur në një intervistë, Osmani theksoi rëndësinë strategjike të rreshtimit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë si një proces të natyrshëm sa herë që ndërmerren iniciativa të mëdha ndërkombëtare të udhëhequra nga aleati kryesor i Kosovës.

Ajo u shpreh se çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare është lajm i mirë për vendin, veçanërisht kur bëhet fjalë për iniciativa të udhëhequra nga SHBA-ja, shtet që, sipas saj, ka luajtur rol kyç në arritjen e lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe paqes në Kosovë.

Presidentja Osmani bëri të ditur se Kosova është ftuar si shtet themelues i Bordit të Paqes, gjë që ajo e cilësoi si një vlerësim të jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, duke e parë këtë si dëshmi të rolit të Kosovës si faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Sipas Osmanit, pjesëmarrja në këtë Bord i jep Kosovës mundësinë të ketë zë të barabartë në proceset e vendimmarrjes ndërkombëtare dhe të zgjerojë angazhimin diplomatik, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ajo shtoi se gjatë ceremonisë së themelimit të Bordit ka pasur takime dhe komunikime të drejtpërdrejta me liderë të shumtë botërorë, përfshirë edhe përfaqësues të vendeve mosnjohëse, të cilat, sipas saj, e kanë parë përfshirjen e Kosovës si një mesazh të fuqishëm politik.

Presidentja sqaroi gjithashtu se anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk parasheh obligime financiare të detyrueshme për Kosovën, pasi kontributet janë vullnetare dhe çdo angazhim i ardhshëm do t’i nënshtrohet miratimit të Kuvendit të Kosovës.

Osmani konfirmoi se marrëveshja përkatëse do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim sapo ky institucion të konstituohet, në mënyrë që procesi të ketë legjitimitet të plotë kushtetues dhe politik.

Në përmbyllje, ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes përbën një konfirmim të fuqishëm të shtetësisë dhe pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *