Osmani pas heqjes së tarifës për produktet amerikane: Kosova është partner i besueshëm i SHBA-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nga sot hyn në fuqi vendimi për tarifë zero ndaj të gjitha produkteve amerikane që hyjnë në Kosovë. Ajo u shpreh krenare që Kosova ishte vendi i parë që propozoi heqjen e barrierave tregtare ndaj aleatit më strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani theksoi: “Për presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë.”
Vendimi për heqjen e tarifës 10% ndaj mallrave nga SHBA u miratua sot nga Qeveria e Kosovës në detyrë.











