#Lajme

Osmani nga Danimarka: Nuk mund të trajtohet Rusia si agresor e Serbia si partner i paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë Samitit të Komitetit Politik Evropian në Danimarkë, ka theksuar se ky takim është një mundësi për të adresuar kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe ndikimi i saj në rajon.

Ajo ka përmendur Serbinë si “satelit të Rusisë”, duke theksuar se nuk mund të trajtohet njëra si agresor e tjetra si partnere paqeje. “Janë dy rreziqe kryesore të sigurisë: Rusia dhe zgjatja e saj në rajonin tonë, Serbia. BE-ja duhet të ketë konsistencë për të dyja, pasi nuk mund të shpërblehet një shtet që bashkëpunon me agresorët”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka akuzuar Serbinë për veprime destabilizuese ndaj vendeve fqinje dhe ka rikujtuar sulmin terrorist në Banjskë, duke e quajtur një “kopje të metodave ruse”. Sipas saj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po ndjek taktikat e Vladimir Putinit përmes agresionit dhe kërcënimit të stabilitetit në Ballkan.

Duke folur edhe për Ukrainën, Osmani ka thënë se populli ukrainas do të fitojë luftën dhe paqen, ndërsa ka bërë thirrje që BE-ja të trajtojë seriozisht ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Ajo ka ritheksuar se integrimi në Bashkimin Evropian është rruga e vetme për Kosovën, duke kujtuar se 97 për qind e qytetarëve e mbështesin këtë proces. Megjithatë, ka pranuar se nuk mund të japë afate për anëtarësim, pasi kjo varet nga vendet anëtare të BE-së.

“Është e rëndësishme që shtetet të cilat janë 100% të rreshtuara me BE-në të shpërblehen”, ka përfunduar Osmani.