#Lajme

Osmani: Masakra e Reçakut dëshmon synimin shfarosës të Serbisë ndaj shqiptarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot nga Kompleksi Memorial në Reçak 27-vjetorin e masakrës ndaj 45 civilëve shqiptarë, duke theksuar se ky krim përbën dëshmi të qartë të qëllimit shfarosës të regjimit të atëhershëm serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Pas homazheve, Osmani tha se dhimbja e Reçakut mbetet po aq e freskët edhe pas 27 vitesh, veçanërisht për familjet e viktimave dhe për gjithë qytetarët e Kosovës, pasi drejtësia për këtë dhe krime të tjera ende mungon. Ajo shtoi se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtat politika dhe mendësi, duke përfshirë edhe mohimin e masakrës së Reçakut, të cilin e cilësoi si “krim të dyfishtë”.

Presidentja theksoi se Reçaku dhe plagët e tij vazhdojnë të flasin, ndërsa krimet e kryera në Kosovë mbeten të pandëshkuara. Ajo rikujtoi se ajo që ndodhi në Reçak ishte krim kundër njerëzimit dhe ndaj civilëve të pafajshëm, siç ishte konstatuar edhe nga ambasadori William Walker.

Osmani theksoi se Kosova sot gëzon liri, pavarësi dhe demokraci falë sakrificës së martirëve të Reçakut dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nënvizuar se themelet e shtetit janë ndërtuar mbi këtë sakrificë. Ajo shtoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën për krimet e luftës, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.