#Lajme

Osmani: Kosova ka humbur kohë, qeveria e re duhet të veprojë shpejt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ngërçi politik që ka zgjatur që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 i ka kushtuar vendit dhe tani qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duhet të veprojë shpejt për të zënë hapin.

Osmani theksoi se shumë çështje, përfshirë temat ekonomike dhe integrimin evropian, kanë mbetur pas, dhe është e nevojshme që legjislatura e re të nisë menjëherë punën. Ajo shtoi se në ditën e konstituimit të Kuvendit duhet të kalojnë në parlament marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxheti i shtetit, që janë të domosdoshme për funksionimin e vendit.

Presidentja vlerësoi se përfundimi i ngërçit dhe krijimi i institucioneve të reja shpejt është në interes të Kosovës dhe shpreson që Kuvendi i ri të fillojë menjëherë me punët e rëndësishme për vendin.