Osmani: Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e meriton Çmimin Nobel për Paqen, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tij në proceset paqësore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për revistën Newsweek, e pyetur nëse do ta nominonte Trumpin për këtë çmim prestigjioz, Osmani është përgjigjur pozitivisht.
“Sigurisht, nëse unë jam presidente [kurdo që të jetë], kjo gjë do të ndodhë,” është shprehur ajo.
Presidentja theksoi se, pavarësisht debateve dhe kritikave që shpesh e shoqërojnë figurën e Donald Trumpit në arenën ndërkombëtare, Kosova e vlerëson kontributin e tij mbi bazën e përvojës konkrete.
“E di që ka të tjerë që mund të kenë mendime të ndryshme, por ne e shohim kontributin e tij nga afër,” deklaroi Osmani.
Duke folur nga Samiti i Qeverive Botërore në Dubai, ajo e përshkroi Kosovën si “popullin më pro-amerikan në Tokë”, duke nënvizuar mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Kosovës për rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë e vendit.
Osmani rikujtoi se mbështetja amerikane, në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, ka qenë vendimtare në momentet më të vështira për Kosovën. Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar katër biseda të shkurtra, por “shumë kuptimplota”, me Donald Trumpin, duke e cilësuar angazhimin e tij si “një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas saj, ky rol nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që ekzistojnë në skenën ndërkombëtare.
Çmimi Nobel për Paqen jepet çdo vit nga Komiteti Norvegjez i Nobelit, ndërsa nominimet mund të bëhen nga një numër i kufizuar personash, përfshirë krerët e shteteve. Fituesi shpallet tradicionalisht në muajin tetor.









