OSBE i përgjigjet Qeverisë: Respektimi i vendimeve të gjykatave është thelbësor për ndarjen e pushteteve
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas deklaratave të fundit të Qeverisë ndaj Gjykatës Supreme, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vendimeve gjyqësore si element kyç për ruajtjen e rendit demokratik dhe ndarjes së pushteteve.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare, OSBE thekson se pavarësia dhe integriteti i gjyqësorit përbëjnë gur themeli të sistemit demokratik të Kosovës.
“Respektimi i vendimeve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve,” thuhet në reagim.
OSBE shprehet e gatshme të vazhdojë mbështetjen për institucionet e Kosovës në forcimin e praktikave demokratike dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.











