Operacion kundër spiunazhit në Kosovë, përfshihen Prokuroria Speciale, AKI dhe IPK
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se është duke udhëhequr një operacion në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), lidhur me dyshimet për përfshirje në veprën penale të spiunazhit.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, detaje të mëtejshme do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të veprimeve operacionale.
“Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi,” thuhet në njoftim.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion për numrin e të dyshuarve apo vendndodhjet ku po zhvillohet operacioni.











