OBSH: Mbi 100 milionë njerëz përdorin cigare elektronike në botë
Mbi 100 milionë njerëz në mbarë botën përdorin cigare elektronike, sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Edhe pse numri i duhanpirësve ka rënë me rreth 200 milionë në 25 vitet e fundit, “epidemia e duhanit mbetet larg përfundimit”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në vitin 2024, 1.2 miliardë njerëz ende pinin duhan, ndërsa kompanitë e duhanit po synojnë të rinjtë me produkte të reja nikotine. OBSH paralajmëron se bota nuk do ta arrijë objektivin për uljen me 30% të pirjes së duhanit deri në vitin 2025.
Sipas raportit, cigaret elektronike përdoren nga 86 milionë të rritur dhe 15 milionë adoleshentë, kryesisht në vendet e pasura. OBSH thotë se këto produkte nuk ndihmojnë në uljen e konsumit të duhanit dhe disa vende i kanë ndaluar.
Numri i grave duhanpirëse ka rënë ndjeshëm, ndërsa burrat mbeten shumica e duhanpirësve. Evropa ka përqindjen më të lartë të konsumit, ndërsa Afrika më të ulëtën. OBSH kërkon masa më të ashpra ndaj industrisë së duhanit, përfshirë ndalimin e reklamave dhe rritjen e taksave.











