Nura kundër kandidaturës së Bashës: “Është fyerje për votuesit që një magar t’u prijë 100 luanëve”
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka reaguar ashpër ndaj kandidaturës së Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, duke e quajtur atë një fyerje për votuesit në Kosovë.
Nura tha se propozimi i Vetëvendosjes në seancën e kaluar ishte befasi, madje edhe për vetë deputetët e kësaj partie.
“Është për të ardhur keq që VV vendos të propozojë një kandidat që i ka befasuar edhe ata vetë. Besoj që edhe votat e VV-së nuk do të shkonin për Dimal Bashën”, u shpreh ai.
Ai shtoi se edhe PDK kërkoi pauzë për t’u sqaruar nëse ky ishte vërtet qëndrimi i VV-së.
“Në ushtri përdoret një shprehje: më mirë një luan të prijë 100 magarëve sesa një magar të prijë 100 luanëve. Dimal Basha në krye të Kuvendit është fyerje për votuesit e VV-së dhe të gjithë Kosovës”, theksoi Nura.











