Njësitë B2 dhe A3 të KEK-ut pritet të kthehen në operim sonte
Njësitë prodhuese B2 dhe A3 të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) pritet të rikthehen në funksion gjatë mbrëmjes, ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo njoftoi se ky zhvillim vjen pas një takimi me menaxhmentin e KEK-ut, duke theksuar se aktualisht në operim janë edhe tri njësi të tjera: B1, A4 dhe A5. Sipas saj, ekipet teknike po punojnë pa ndërprerje, në tri ndërrime, 24 orë në ditë, për të mundësuar rikthimin sa më të shpejtë të njësive B2 dhe A3.
Rizvanolli ka theksuar se gjatë periudhës së ftohtë, kur kërkesa për energji është e lartë, pritet që KEK-u të operojë me pesë blloqe. Ajo ka pranuar se kjo paraqet sfidë, por ka shtuar se Termocentrali Kosova A ka funksionuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë radhazi, nga 19 dhjetori deri më tani.
“Në 25 vitet e fundit, KEK-u ka operuar me pesë njësi vetëm 55 ditë gjithsej. Pres angazhim dhe përgjegjësi maksimale nga menaxhmenti dhe çdo punonjës për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur funksionale gjatë muajve të ftohtë”, ka shkruar ajo, duke falënderuar punëtorët dhe menaxherët e KEK-ut për kontributin e tyre.
Ndërkohë, ministrja ka publikuar të hënën edhe një video nga terreni, ku shihen punëtorët e KEK-ut duke punuar, duke u bërë thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike gjatë ditës, si pasojë e kërkesës së lartë. Edhe kompania furnizuese KESCO ka vlerësuar se situata është vështirësuar për shkak të mungesës së prodhimit vendor dhe mundësive të kufizuara për import të energjisë.










