Një vit pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, ende pa përgjegjësi
Sot bëhet një vit nga shpërthimi i rëndë në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok, ku rreth 20 kilogramë eksploziv goditën infrastrukturën kritike të vendit, me dëme rreth 400 mijë euro. Ngjarja u konsiderua sulm terrorist, ndërsa Kosova akuzoi Serbinë, e cila mohoi përfshirjen.
Edhe pas një viti, rasti mbetet i pazbardhur: nuk ka aktakuzë dhe as persona të përgjegjshëm. Në hetime janë përfshirë edhe agjentë të FBI-së, derisa institucionet e Kosovës kanë arrestuar disa të dyshuar dhe kanë sekuestruar armë e eksplozivë. Në paraburgim janë dërguar Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq.
Zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar se pas sulmit qëndron Millan Radoiçiq, ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar se inteligjenca kosovare e lidh sulmin me shtetin serb. Por ish-ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se SHBA nuk ka parë prova që çojnë drejt Beogradit.











