Një javë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, autorët ende në arrati
Një javë pas ngjarjes tragjike të vrasjes së trefishtë në qendër të Gjilanit, autorët e dyshuar, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull, janë ende në arrati, ndërsa qytetarët dhe familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.
Në këtë incident, babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur si argjendarë, humbën jetën në një kafene pranë objektit të komunës, ndërsa Abedin Hoxha, i plagosur, vdiq më vonë në spital.
Policia rajonale e Gjilanit njofton se po punohet intensivisht për lokalizimin e autorëve, megjithëse deri tani nuk ka zhvillime të reja.
Qindra qytetarë protestuan të premten para gjykatës, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e rastit, ndërsa zyrtarë të lartë politikë kanë reaguar me shqetësim.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e katër zyrtarëve policorë në Gjilan për të hetuar nëse ka pasur neglizhencë ose shkelje të procedurës para ose pas ngjarjes. Hetimet vazhdojnë dhe autorët mbeten ende të lirë.











