Një 24-vjeçar kosovar u kap në Durrës duke tentuar të korruptojë policinë
Në Durrës është zbuluar një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, duke e çuar në 23 numrin e drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar për këtë vepër penale.
Këtë herë, procedohet penalisht një 24-vjeçar nga Kosova, i cili drejtonte një kamion duke përdorur telefonin gjatë lëvizjes, duke rrezikuar sigurinë në trafik. Për të shmangur masën administrative, ai tentoi t’i ofronte para punonjësve të Policisë Rrugore.
Ngjarja ndodhi në aksin “Tiranë–Durrës”, ku patrullat po monitoronin qarkullimin për parandalimin e aksidenteve. Materialet janë referuar në Prokurori dhe ndaj 24-vjeçarit ka nisur procedim në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.










