Nisin sot afatet zgjedhore për koalicione, certifikim të subjekteve politike dhe dorëzim të listave për deputetë
Prej sot, më 24 nëntor, hyjnë në fuqi disa afate të rëndësishme të procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar periudhat kohore për formimin e koalicioneve, certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.
Aplikimi për certifikim të subjekteve politike: 24–30 nëntor
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të plotësojnë online formularin e aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje. Aplikimet dorëzohen në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar.
Dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë: 24 nëntor – 7 dhjetor
Që nga sot e deri më 7 dhjetor, subjektet politike mund të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve që synojnë certifikimin për garën zgjedhore. Elezi theksoi se kjo periudhë dyjavore është vendimtare, pasi subjektet përcaktojnë zyrtarisht kandidatët me të cilët do të hyjnë në zgjedhjet e funddhjetorit.
Njoftimi për formimin e koalicioneve: 24–30 nëntor
Partitë që duan të marrin pjesë përmes koalicioneve duhet ta njoftojnë KQZ-në deri më 30 nëntor. Elezi sqaroi se një koalicion duhet të përbëhet nga të paktën dy parti politike, ndërsa pasi të certifikohet, asnjëra prej tyre nuk mund të tërhiqet deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor. Po ashtu, një parti që është pjesë e një koalicioni nuk mund të paraqitet në një koalicion tjetër apo si subjekt i vetëm në të njëjtat zgjedhje.
Partitë politike që nuk synojnë të marrin pjesë në zgjedhje duhet ta njoftojnë KQZ-në gjithashtu deri më 30 nëntor.
Me fillimin e këtyre afateve, procesi zgjedhor hyn në një fazë të re përgatitore, me pritshmëri për një garë të ngjeshur politike deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit.










