#Lajme

Nis monitorimi elektronik i komunikacionit në Maqedoninë e Veriut, paralajmërohen qytetarët e Kosovës

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë nisur zbatimin e sistemit elektronik “Qyteti i sigurt” për monitorimin e komunikacionit rrugor, kanë bërë të ditur institucionet përkatëse.

Sipas njoftimit zyrtar, sistemi funksionon përmes kamerave inteligjente dhe pajisjeve teknike që evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të trafikut, në përputhje me legjislacionin e Maqedonisë së Veriut.

Në fazën e parë, monitorimi do të zbatohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Sistemi do të regjistrojë shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.

Për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova, shkeljet e evidentuara do të njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga Maqedonia e Veriut. Qytetarët e huaj kanë të drejtë të paguajnë 50 për qind të gjobës brenda tetë ditëve, ndërsa në rast mospagese ose kontestimi të shkeljes, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe dispozitat ligjore në fuqi.