#Lajme

Nga 9 shkurti në 28 dhjetor: Vetëvendosje rritet në 56 ulëse, LDK humb pesë mandate

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke siguruar 49.30 për qind të votave, përkatësisht 429,979 vota, bazuar në rezultatet pas numërimit të 99.26 për qind të kutive të votimit. Në këto shifra nuk përfshihen ende votat e diasporës, votat me kusht dhe ato me asistencë.

Me këtë rezultat, Vetëvendosje dhe partnerët e saj kanë krijuar avantazh të qartë për formimin e qeverisë së re, gjë që nuk ishte e mundur pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur vendi u përball me një bllokadë institucionale që zgjati mbi nëntë muaj.

Sipas projeksioneve aktuale të mandateve dhe ndarjes së ulëseve sipas formulës “D’Hondt”, Vetëvendosje pritet të përfaqësohet me 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, me 21.01 për qind të votave, siguron 23 ulëse parlamentare.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të ketë 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me 6 mandate.

Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Vetëvendosje shënon rritje prej tetë ulësesh, nga 48 sa kishte në përbërjen e kaluar të Kuvendit. PDK-ja humb një mandat, ndërsa LDK-ja pëson rënien më të madhe, duke humbur pesë ulëse nga 20 që kishte më parë. AAK-ja, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte garuar në koalicion me Nismën, kishte fituar gjithsej 8 mandate.

Përveç mandateve të partive parlamentare, 20 ulëse në Kuvend janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera.

Për konstituimin e Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe më pas formimin e Qeverisë, nevojitet mbështetja e së paku 61 deputetëve.

Ndërkohë, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe vitit 2026, kur në prill pritet të zhvillohet procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës, për të cilin Vetëvendosje synon të shmangë çdo bllokadë të mundshme institucionale.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *