Nesër vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Të premten, në orën 10:00, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme në rend dite – zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, vazhdimi i seancës vjen pas shpalljes së aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë proces.
Në vendimin e saj, Gjykata ka theksuar se zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit, ndërsa ka sqaruar se votimi në pako për nënkryetarët nuk është i detyrueshëm, por mund të bëhet përmes marrëveshjes ndërmjet grupeve parlamentare.










