#Lajme

Në orën 10:00 mbahet seanca për formimin e Qeverisë – ende e paqartë nëse Kurti i ka votat e nevojshme

Sot në orën 10:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Mandatar për kryeministër është Albin Kurti, pasi Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për të siguruar formimin e qeverisë, Kurtit i nevojiten së paku 61 vota. Megjithatë, ai aktualisht ka 48 deputetë nga radhët e VV-së dhe disa mbështetje të mundshme nga komunitetet joshumicë.

Deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje për koalicion, ndërsa partitë kryesore opozitare – PDK, LDK dhe AAK – janë shprehur hapur kundër bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

E vetmja parti që ka lënë hapësirë për bashkëpunim është NISMA, por kjo e fundit ka vendosur kushte që lidhen me pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Në këto rrethana, mbetet e paqartë nëse Kurti do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme për ta marrë mandatin e tretë si kryeministër i vendit.