Ndalimi i 15 kryekomisionerëve në Malishevë, Pula: Askush nuk është mbi ligjin
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula nga Gjakova, ka deklaruar se integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm dhe se asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban, nuk mund të qëndrojë mbi ligjin.
Duke folur për ndalimin e 15 kryekomisionerëve në Malishevë, Pula tha se gjatë procesit të fundit zgjedhor, ajo dhe ekipi i saj kanë monitoruar parregullsi të shumta, të cilat janë evidentuar pas përfundimit të zgjedhjeve dhe janë raportuar pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas saj, si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, janë kryer arrestime të personave që shërbenin si komisionerë, të cilët dyshohen për manipulim të votave. Ajo theksoi se këto veprime nuk janë simbolike, por të bazuara në prova dhe të realizuara në përputhje me procedurat ligjore.
Pula vlerësoi gjithashtu profesionalizmin, paanashmërinë dhe guximin institucional të Prokurorisë së Shtetit në trajtimin e këtyre veprave penale, duke nënvizuar se transparenca dhe llogaridhënia janë mjetet më të fuqishme kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe manipulimit të votës.
Ajo përfundoi se veprimet e institucioneve dërgojnë një mesazh të qartë se veprat penale që cenojnë të drejtën e votimit, përfshirë falsifikimin e rezultateve zgjedhore, do të zbulohen dhe do të ndiqen penalisht.








