#Lajme

Ndalet rryma në sallën e gjyqit, shtyhet nisja e seancës për rastin e 400 kg kokainë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike pak para fillimit të seancës gjyqësore për rastin e njohur të 400 kilogramëve kokainë.

Në këtë proces gjyqësor po përballen me akuzat Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi. Sipas Prokurorisë, përmes kompanisë “MC FOOD”, ata dyshohet se kishin lidhur marrëveshje me kompaninë braziliane “SEARA” për import të produkteve të mishit të pulës së ngrirë, në brendi të të cilave ishte fshehur substancë narkotike.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëshmonte Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC FOOD”. Pesë të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë, ndërsa Sheqiri është deklaruar fajtor vetëm për “armëmbajtje pa leje”.

Sipas aktakuzës, ngarkesa me kokainë — me peshë prej 400 kilogramësh — ishte zbuluar më 17 maj 2021 gjatë një operacioni doganor dhe policor.

Seanca pritet të rifillojë sapo të rikthehet furnizimi me energji elektrike.