#Lajme

Nait Hasani akuzon Qeverinë Kurti për krizën buxhetore dhe mungesë të shumicës parlamentare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se vendi po përballet me një krizë serioze buxhetore për shkak të, siç tha ai, keqmenaxhimit të Qeverisë Kurti. Sipas tij, përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi ekzekutivin dhe kryeministrin në detyrë.

Hasani theksoi se opozita nuk mund të fajësohet për mosvotimin e buxhetit, duke argumentuar se Qeveria e ka futur vendin në këtë pozitë. Ai vlerësoi se procesi i miratimit të buxhetit ka qenë “i padrejtë dhe joligjor”, pasi është zhvilluar pa një qeveri funksionale.

“Nuk mund të miratohet buxheti kur nuk dihet kush është opozitë e kush pozitë. Për 46 orë në seancë na akuzuan se po e bllokonim Kuvendin, kur vetë i kishin djegur të gjithë kandidatët,” tha Hasani në një intervistë për Tëvë1.

Ai shtoi se Qeveria ka pasur qëndrime kontradiktore, duke kërkuar mbështetjen e opozitës vetëm pasi u vërtetua mungesa e shumicës parlamentare, pavarësisht se më herët i kishte akuzuar për bllokim.

Duke komentuar pretendimin e kryeministrit Kurti për shumicë parlamentare, Hasani tha se është paradoksale që me 48 deputetë nuk është arritur formimi i qeverisë. “Me 32 deputetë ka bërë qeverinë Hashim Thaçi, po ashtu edhe qeveri të tjera janë formuar me 36 apo edhe 26 deputetë,” u shpreh ai.

Sipas Hasanit, situata e krijuar është rezultat i keqmenaxhimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë nëntë muajve të fundit.