Myftiu Tërnava reagon ashpër ndaj djegies së Kuranit në Gjakovë
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar i tronditur pas djegies së Kuranit të Shenjtë në Çabrat të Gjakovës, duke e cilësuar këtë veprim si akt vandal, kriminal dhe të porositur. Sipas tij, ky rast përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj vlerave humane, si dhe ndaj parimeve, traditës dhe identitetit të popullit të Kosovës.
Tërnava theksoi se shqiptarët historikisht janë identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe respekt ndërfetar, ndërsa veprime të tilla synojnë nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes. Ai paralajmëroi se raste të tilla janë pasojë e propagandës dhe gjuhës së urrejtjes që, sipas tij, po promovohen nga individë dhe grupe të caktuara me ideologji antishqiptare dhe antiislame.
Myftiu i Kosovës kërkoi nga organet kompetente që të veprojnë menjëherë dhe të marrin masa ligjore jo vetëm ndaj autorëve, por edhe ndaj ideatorëve dhe nxitësve të këtij akti, duke theksuar se djegia e Kuranit është një rast alarmues që nuk duhet të kalojë pa përgjegjësi.








