Mustafi: Ligji për të Huajt dhe ai për Automjetet sjellin qartësi ligjore, jo penalizim për shqiptarët e Luginës
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka bërë të ditur se ka nisur zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës, duke theksuar se këto masa nuk kanë për qëllim penalizimin, por krijimin e qartësisë juridike për shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë.
Sipas Mustafit, aktualisht është duke u zbatuar një periudhë informuese dhe afirmative, e cila do të zgjasë deri më 15 mars 2026. Ai ka sqaruar se gjatë kësaj faze qytetarët nuk do të ndëshkohen, por do të kenë mundësi të rregullojnë statusin e tyre ligjor dhe dokumentacionin përkatës.
“Këto ligje nuk e ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë ndëshkim, por vendosin rregull dhe qartësi juridike aty ku për vite ka ekzistuar pasiguri administrative”, ka shkruar Mustafi në Facebook.
Ai ka theksuar se periudha afirmative shërben për rregullimin e qëndrimit ligjor, eliminimin e pasigurisë administrative dhe krijimin e hapësirave shtesë për zgjidhjen e rasteve të veçanta. Po ashtu, Mustafi ka përmendur angazhimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e procedurave, përfshirë vënien në funksion të formularit për situata të jashtëzakonshme, i cili u mundëson qytetarëve apatridë ose të pasivizuar në Luginën e Preshevës të pajisen me dokumentacion civil.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas tij, është garantimi i sigurisë juridike mbi pronën. Ai ka theksuar se qytetarët e Luginës tani kanë mundësi t’i regjistrojnë pronat e paluajtshme në emrin e tyre, duke u njohur e drejta e plotë e pronësisë dhe duke u hequr pengesat administrative të deritanishme.
Mustafi ka paralajmëruar se pas 15 marsit 2026 zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të sjellë pasoja administrative. Ai ka përfunduar duke theksuar se Kosova është shtet i së drejtës që u ofron siguri ligjore dhe trajtim të barabartë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ky proces, sipas tij, është pjesë e përpjekjeve për të garantuar drejtësi, qartësi ligjore dhe mundësi të barabarta për këtë komunitet.










