#Lajme

Mustafa: Zgjedhjet epilogu i ardhshëm, Lista Serbe pjesë e rendit kushtetues – duhet integrim, jo bojkot

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar sipas rregullave kushtetuese. Ai tha se ky vendim ishte i pritshëm për këdo që e njeh dhe e lexon drejt Kushtetutën.

Mustafa theksoi se partitë politike nuk duhet të pengojnë komunitetin serb të ushtrojë të drejtat e tij kushtetuese, pavarësisht ndikimeve të Beogradit. “Serbët janë deputetë të zgjedhur sipas ligjeve të Kosovës, me të drejta dhe obligime të barabarta. Nuk mundet një parti të bëjë presion për të penguar një komunitet që të realizojë të drejtën e tij kushtetuese,” tha ai.

Ai u bëri thirrje institucioneve të punojnë për integrimin e përfaqësuesve të komunitetit serb në strukturat shtetërore dhe paralajmëroi se, në mungesë të marrëveshjes për formimin e qeverisë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

“Mendoj se Kuvendi duhet të konstituohet, dhe pasi s’ka vullnet për krijimin e qeverisë, atëherë shkuarja në zgjedhje do të jetë epilogu i ardhshëm. Çfarë do të ndodhë më pas, do ta vendosin qytetarët me votën e tyre – kjo është rregull e demokracisë,” theksoi Mustafa.

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit dhe ka obliguar deputetët që të zgjedhin nënkryetarin serb në interes të Republikës së Kosovës.