Mustafa mohon akuzat për përpjekje për rrëzimin e Abdixhikut: Narrativë e ulët, le ta dëshmojë një delegat
Pas një procesi të tensionuar të votëbesimit, Lumir Abdixhiku ka siguruar vazhdimin e mandatit si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me një shumicë minimale që, sipas vlerësimeve, më shumë reflekton krizën e brendshme të partisë sesa unitetin e saj.
Pas Kuvendit të së shtunës, në opinion publik dhe në disa media, përfshirë edhe ato në Shqipëri, u përhapën narrativa për pretendime të “komploteve” të brendshme me synim largimin e Abdixhikut nga posti i kryetarit. Në këto rrëfime u përmendën edhe “darka të fshehura” dhe takime të supozuara, ndërsa si një nga personat e përfshirë u përmend ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Mustafa i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “narrativë shumë të ulët” dhe pa asnjë bazë. Ai ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë përpjekje për të minuar pozitën e Abdixhikut dhe se është i gatshëm të përgjigjet vetëm nëse del qoftë edhe një delegat që dëshmon të kundërtën.
“Le të dalë një delegat i këtij Kuvendi dhe të dëshmojë se unë kam kërkuar rrëzimin e Abdixhikut apo kam punuar kundër tij, atëherë përgjigjem”, ka thënë Mustafa, duke theksuar se që nga dorëheqja e tij në vitin 2021 nuk ka marrë pjesë në asnjë takim apo tubim të LDK-së.
Ai ka shtuar se proceset në parti i ka ndjekur vetëm përmes mediave dhe se nuk ka as motiv e as interes për t’u përfshirë në çështjet e drejtimit të LDK-së. Sipas tij, Abdixhiku ka pranuar publikisht përgjegjësinë për humbjen zgjedhore dhe ka vepruar në përputhje me parimet demokratike duke thirrur Kuvendin.
Mustafa ka sqaruar gjithashtu se nuk ka grup apo njerëz të tij brenda LDK-së dhe se bashkëpunimi i tij ndër vite ka qenë me të gjithë strukturën e partisë. Ai ka theksuar se interesi i tij i vetëm është forcimi dhe fitorja e LDK-së, duke kritikuar ashpër ata që, sipas tij, “projektojnë komplote dhe prodhojnë armiq”.
Duke folur për raportin e tij me Abdixhikun, Mustafa ka rikujtuar se ishte ai që e kishte sjellë Abdixhikun në LDK në vitin 2017 dhe se ky i fundit kishte qenë ministër nga radhët e LDK-së në Qeverinë Kurti 1. Ai ka theksuar se pas dorëheqjes së tij nuk ka propozuar asnjë kandidat për kryetar partie dhe se garat për udhëheqje duhet të jenë të lira.
“Për mua është e rëndësishme LDK-ja. As Abdixhiku e as Hoti. Individët i nënshtrohen interesit të partisë, jo anasjelltas”, ka përfunduar Mustafa.








