Musliu: Jevtiqit iu gjetën dokumente të Serbisë e Rusisë – arrestimi, sukses i koordinimit të AKI-së dhe institucioneve të sigurisë
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka komentuar arrestimin e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, duke e cilësuar rastin si një ndër sukseset më të mëdha në fushën e kundërzbulimit.
Jevtiq është arrestuar nën dyshimet për spiunazh në shërbim të Agjencisë serbe të Inteligjencës (BIA). Musliu tha se rasti është rezultat i një koordinimi të ngushtë mes Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të tjera të sigurisë, të cilat për muaj me radhë kanë zhvilluar hetime për të zbuluar rrjete të fshehta me prani në sistemin tonë të sigurisë.
Sipas tij, në posedim të Jevtiqit janë gjetur edhe dokumente të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), ku bëjnë pjesë Serbia dhe Rusia, por jo Kosova. Kjo, sipas Musliut, ngre dyshime për ekzistencën e rrjeteve paralele të komunikimit jashtë kanaleve zyrtare dhe për rrezikun që ato paraqesin për rrjedhjen e informacioneve të ndjeshme.
Eksperti ka theksuar rëndësinë e vigjilencës së vazhdueshme institucionale për të parandaluar raste të tilla që mund të komprometojnë sigurinë kombëtare të vendit.










