Muriqi pas fitores ndaj Sevillas: Mbappe është nga një botë tjetër, edhe vendi i dytë në Pichichi do të ishte festë
Vedat Muriqi vazhdon formën e shkëlqyer në La Liga. Sulmuesi kosovar ishte protagonist në fitoren bindëse 4:1 të skuadrës së tij ndaj Sevillas, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të kampionatit spanjoll.
Përveç golit të realizuar, Muriqi kontribuoi edhe me një asist, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar të takimit. Pas përfundimit të ndeshjes, ai foli për mediat spanjolle, ku shprehu kënaqësinë për vazhdimësinë e golave dhe paraqitjet e mira këtë sezon.
Muriqi u ndal edhe te gara për çmimin “Pichichi”, ku është në konkurrencë me yje të mëdhenj të La Ligës, përfshirë Kylian Mbappen. Megjithatë, ai tregoi modestinë e tij duke theksuar se francezi nuk është rival i drejtpërdrejtë për të.
“Mbappe nuk është rivali im, ai është nga një botë tjetër. Nëse e përfundoj garën për Pichichi pas tij, do ta festoj sikur ta kisha fituar vetë”, u shpreh Muriqi.
Aktualisht, “pirati” ka realizuar 15 gola në kampionat, si dhe ka regjistruar një asist, duke u renditur ndër sulmuesit më efikas të sezonit në La Liga.








