Murati takon sot përfaqësuesit e bizneseve për rritjen e pagës minimale
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thirrur sot një takim me përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve për të diskutuar çështjen e rritjes së pagës minimale në Kosovë.
Takimi do të mbahet në objektin e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 10:00, sipas ftesës së dërguar nga Ministria e Financave.
“Në emër të ministrit Hekuran Murati, ju ftojmë të merrni pjesë në takimin ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 350 euro bruto, e vendosur në gusht të vitit të kaluar, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale. Para kësaj, paga minimale ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç.
Kujtojmë se më 26 tetor, gjatë seancës së jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, kryeministri në detyrë Albin Kurti përmendi se synimi i ekzekutivit është që paga minimale të rritet në 500 euro.











