#Lajme

Murati kritikon Gjykatën Supreme: S’e kanë lexuar aktgjykimin e Kushtetueses, janë bërë horë publikisht

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për arkat fiskale digjitale, duke e quajtur të pabazuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Ai thotë se deputetët nuk e ushtrojnë funksionin para konstituimit të Kuvendit dhe rrjedhimisht nuk ka pasur as konflikt funksional, siç pretendohet në vendimin e Supremes.

“Sipas aktgjykimit KO124/25 të Kushtetueses, funksioni fillon pas konstituimit. Tre gjykatësit e Supremes kanë interpretuar gabimisht, sikur mandati fillon me çertifikimin e rezultateve”, shkroi Murati.

Ai kritikoi gjykatësit për, siç tha, mbështetje në deklarata politike dhe jo në vendime kushtetuese: “Në vend se të lexonin aktgjykimin, janë bërë horë me këtë vendim absurd.”

Gjykata Supreme ka shfuqizuar udhëzimin me arsyetimin se është nxjerrë nga një qeveri dhe ministër në detyrë, pa kompetenca për akte të tilla.