#Lajme

Mundësia e fundit për konstituimin e Kuvendit – Ambasadorët ndërkombëtarë nesër të pranishëm në seancë

Në përpjekjen e 52-të dhe të fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues, pritet që ambasadorë të vendeve të huaja të jenë të pranishëm në seancën që do të mbahet nesër.

Ambasada Gjermane ka konfirmuar se ambasadori Jorn Rohde, së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, do të ndjekin nga afër zhvillimet në Kuvend. “Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament,” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit përfundon më 26 korrik. Në këtë kuadër, presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda këtij afati. Ajo ka paralajmëruar mungesë kompromisi ndërmjet partive parlamentare.

Seanca pritet të fillojë në orën 11:00, mes pritshmërive të larta dhe pasigurive politike.