#Lajme

MPJD njofton bashkatdhetarët: Kujdes gjatë udhëtimit me dokumente të skaduara – disa shtete nuk lejojnë kalimin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lëshuar një njoftim zyrtar për bashkatdhetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës me dokumente të skaduara, duke i paralajmëruar për vështirësitë që mund të hasin gjatë kalimit transit nëpër disa shtete.

Sipas MPJD-së, ndonëse mund të lejohen hyrjet në Kosovë me dokumente të skaduara përmes transportit rrugor, disa shtete në rrugët tranzite, përfshirë Italinë, kërkojnë dokumente të vlefshme udhëtimi pa përjashtim.

Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet thirrje që para nisjes së udhëtimit të verifikojnë kushtet e kalimit në secilin shtet që përfshihet në itinerar, për të shmangur problemet dhe ndalimet e mundshme gjatë rrugës.

Ministria u rekomandon qytetarëve të planifikojnë udhëtimet me kujdes dhe, në raste pasigurie, të kontaktojnë misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës për udhëzime shtesë.