MPJD: 13 qytetarë të Kosovës në Izrael nuk kanë kërkuar evakuim, po ndiqen raste të veçanta mjekësore
MPJD: 13 qytetarë të Kosovës në Izrael nuk kanë kërkuar evakuim, po ndiqen raste të veçanta mjekësore
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses evakuimin e disa qytetarëve të Kosovës nga Izraeli në ditët e para të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, duke bashkëpunuar me ambasadën kosovare dhe autoritetet në Jordaninë dhe Egjiptin.
Sipas MPJD-së, 13 qytetarë të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë në Izrael dhe nuk kanë shprehur interes për evakuim. Ministria po ndjek gjithashtu rastin e një shtetaseje kosovare që po trajtohet në spitalin “Soroka” në Be’er Sheva pas një sulmi, dhe po punon për evakuimin e saj dhe familjes së saj.
Një qytetar tjetër është në proces evakuimi përmes Egjiptit me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës. MPJD konfirmon se Ambasada në Izrael mbetet në gatishmëri për t’u përgjigjur çdo kërkese për ndihmë dhe koordinon me autoritetet izraelite dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësi të mëtejshme evakuimi.
Ministria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës në Izrael të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë në zona të sigurta, duke ndjekur udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit.











