Mourinho mohon rikthimin te Real Madridi: Mos llogarisni tek unë, nuk shikoj telenovela
Pas ndarjes së Real Madridit me Xabi Alonson në fillim të kësaj jave, kanë nisur spekulimet për pasardhësin e mundshëm në stolin e “Los Blancos”. Edhe pse klubi ka emëruar Alvaro Arbeloa-n si trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit, drejtuesit madrilenë po shqyrtojnë alternativa afatgjata.
Mes emrave të përfolur është edhe ai i Jose Mourinho-s. Trajneri portugez, aktualisht në krye të Benfica-s, është pyetur për mundësinë e një rikthimi në Santiago Bernabeu, por ka hedhur poshtë zërat.
“Mos u mbështetni tek unë për telenovela. Ka telenovela të mira, por janë shumë të gjata; nëse humb një ose dy episode, e humb gjithë rrjedhën. Mos llogarisni tek unë, sepse unë nuk shikoj telenovela”, është shprehur Mourinho.
Pavarësisht kësaj deklarate, marrëdhëniet mes Mourinho-s dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, mbeten shumë të mira. Sipas raportimeve të së përditshmes portugeze A Bola, Perez i ka dërguar urimet Mourinho-s gjatë darkës së Krishtlindjeve, ndërsa pritet që të takohen në ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Benfica-s.
Jose Mourinho e drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri në 2013, periudhë gjatë së cilës fitoi një titull të La Ligës, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.










