MKRS: Bekë Berisha nuk mund ta mbajë postin e kryetarit të KB Prishtinës
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar lidhur me zgjedhjen e Bekë Berishës në postin e kryetarit të klubit basketbollistik Prishtina, duke sqaruar se ai nuk mund ta ushtrojë këtë funksion për shkak të pozitës së tij si deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës.
Bekë Berisha u zgjodh një ditë më parë kryetar i KB Prishtinës, mirëpo MKRS ka rikujtuar se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit nuk lejon mbajtjen e këtij pozicioni nga një zyrtar i lartë publik.
Sipas reagimit të Ministrisë, duke qenë se Berisha ka fituar mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ai nuk mund të jetë bartës i funksionit drejtues në një person juridik privat fitimprurës, siç është një klub sportiv. MKRS thekson se Ligji Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit lejon zyrtarët e lartë të jenë anëtarë të organeve drejtuese të OJQ-ve sportive, por jo menaxherë, përfaqësues të autorizuar apo anëtarë të organeve menaxhuese apo mbikëqyrëse të subjekteve private fitimprurëse.
Në reagim gjithashtu thuhet se çdo situatë e konfliktit të interesit duhet të parandalohet dhe të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës, ashtu siç parashihet në ligjin përkatës.
MKRS ka bërë thirrje për respektimin e plotë të dispozitave ligjore nga të gjitha palët e përfshira.










