#Lajme

Mitrovicë e Veriut: Policia sekuestron dy armë (zolla) në një kompleks banesor

Policia e Kosovës ka sekuestruar dy armë (zolla) në një kompleks banesor të pabanuar në rrugën “Anka Spaic” në Mitrovicë të Veriut.

Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore të Stacionit në Mitrovicë të Veriut kishin pranuar informacione operative për prani të mundshme të armëve të zjarrit në këtë lokacion. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, përfshirë edhe ekipin për trajtimin e mjeteve shpërthyese.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë (zolla) të prodhimit serb. Ato janë konfiskuar si dëshmi materiale, ndërsa Prokurori i Shtetit ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës thotë se hetimet janë duke vazhduar dhe fton qytetarët që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë përmes kanaleve zyrtare.